Drejtuar: Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut
të zonës së Gostivarit
KËRKESË
Të nderuar deputetë, z. Talat Xhaferi, znj. Saranda Imeri-Stafai, z. Halil Snopçe, znj. Imerlije Saliu-Fetai,
Unioni i Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim me shqetësim të madh i përcjell zhvillimet në Maqedoninë e Veriut.
Periudhën e fundit janë sjellë shumë vendime që na prekin edhe neve si qytetarë të atij vendi, si bashkëqytetarë tuaj.
Përpjekjet e vazhdueshme të heqjes, ndalimit dhe kufizimit të drejtave tona themelore, sidomos të drejtën tonë për përdorim zyrtar të gjuhës shqipe, shkarkimet dhe peticionet kundër ambasadorëve dhe nëpunësve shqiptarë që të mos e përdorin gjuhën shqipe dhe kthimin e ambasadave maqedonasve, pasivizimin e adresave të qytetarëve, shfuqizimin e mekanizmit të balancuesit, ndarjen e mjeteve financiare për komunën tonë, si gjëja që na shqetëson shumë është shlyerja apo mosnjohjen e shifrave zyrtare pas procesit të regjistrimit të popullsisë në vitin 2021, pra kategorizimin në banorë rezident dhe jo rezident, të juve dhe neve bashkëqytetarëve tuaj, me qëllim të uljes së përqindjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Pas vendimit të qeverisë së Maqedonisë së Veriut të datës 24.09.2024, për ta ulur numrin e këshilltarëve komunal, duke mos e llogaritur numrin e banorëve të Gostivarit që jetojnë jashtë vendit përkohësisht, pastaj të ndarjes së mjeteve financiare komunave në thirrjen e parë dhe të fundit nga mjetet e kredisë hungareze që ndarje e buxhetit të bëhet vetëm në bazë të numrit të banorëve rezident (një kategorizim në kundërshtim me ligjin e regjistrimit të vitit 2021) dhe së fundmi propozim ndryshimi i Ligjit të Vetëqeverisjes Lokale, KËRKOJMË nga të gjithë deputetët e kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në veçanti nga Ju si deputetë nga rajoni i Gostivarit, që të bën çmos të pengoni miratimin e vendimeve dhe propozimeve të çfarëdo ligji që na ndanë neve nga Ju, pra në banorë Rezident dhe Jo Rezident.
Kërkojmë nga Ju që si deputetët tanë, të zgjedhur edhe me votat e shumë prej neve, ta përçoni reagimin tonë deri në Qeveri, Kuvend apo çdo institucion tjetër dhe të kërkoni që ÇDOKUND dhe në ÇDO VEND ku nevojiten dhe përdoren të dhënat e regjistrimit të vitit 2021, njëherë e përgjithmonë të llogaritemi pjesë e numrit TË PËRGJITHSHËM të banorëve të Komunës së Gostivarit, prej 93956 banorëve.
Çdo interpretim, vendim apo fshirje e numrave të dalë nga regjistrimi i vitit 2021, përben shkelje e të drejtave tona si qytetarë të Maqedonisë së Veriut, si banorë të komunës së Gostivarit, por edhe te vet Ligjit të Regjistrimit, Nenit 6 ku thuhet:
Në Regjistrim do të përfshihen:
1. Personat - shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut të cilët kanë vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Maqedonisë së Veriut,
pa marrë parasysh nëse në momentin e Regjistrimit gjenden në Republikën e Maqedonisë së Veriut ose jashtë vendit
Kur ta lexoni këtë Kërkesë, dijeni se këto shkronja të shkruara është nga ndonjë i afërm i juaj, është ky një shqetësim i 34186 mijë banorëve të komunës së Gostivarit, që më të drejtë u regjistruan në vitin 2021 dhe sot pa të drejt dhe në kundërshtim me vet ligjin e regjistrimit të cilin e kanë votuar të gjitha subjektet shqiptare, mohohen, fshihen dhe nuk llogariten midis jush.
Bashkëqytetari/ja, bashkombësi/bashkëkombësja, vëllai e motra, nipi e mbesa, miqtë dhe shokë tuaj kërkojnë nga ju të nderuar deputetë, TË NA MBRONI, mos lejoni të na fshijnë!
Leni inatet, zënkat dhe përplasjet midis jush, Ju mund dhe duhet të keni dallime, por kur është në pyetje Gostivari, kur jemi në pyetje Ne, pjesa juaj, këtu ju e keni obligim të jeni BASHKË, të reagoni dhe veproni bashkërisht.
Kjo Kërkesë është një nga vendimet e miratuara edhe në Kuvendin e Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim, në aktivitetet tona të parapara për këtë vit.
Kryesia e Unionit të Shoqatave Shqiptare të Gostivarit në Mërgim
Bern, 20 Maj 2025

